'' Gerrard perfekt për kapiten të Anglisë ''

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney ka lënë anash rivalitetin duke thënë se mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard do të ishte njeriu i duhur për të udhëhequr Anglinë në Euro 2012.
Anglia ka mbetur pa selektor dhe kapiten pasi John Terryt iu mor shiriti nga Federata, pas akuzës për fyerje racore, kurse Fabio Capello dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit.
“Do të doja të isha kapiten i Anglisë, por këtë e vendos selektori i ri. Mendoj se Gerrard do të ishte zgjedhje perfekte”, shkroi Rooney në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.
Rooney, i cili për shkak të suspendimit nuk do të ketë të drejtë loje në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve në Euro 2012 kundër Francës dhe Suedisë, është përmendur si opsion për kapiten, mirëpo Gerrard konsiderohet favorit për pasardhës të Terryt.
Trajneri i ekipit U-21 të Anglisë, Stuart Pearce është emëruar përkohësisht në drejtim të ekipit senior dhe do t’i drejtojë ata në miqësoren e këtij muaji kundër Holandës, kurse menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp konsiderohet si favorit për të zëvendësuar Capellon.
0 comments:
Post a Comment